Trump i “bën gjëmën” Elon Musk! Aksionet e Tesla-s bien drastikisht në bursë, ja arsyeja
Aksionet e Tesla-s (TSLA) ranë me 7.6% sot para hapjes zyrtare të bursës, pasi drejtori ekzekutiv i kompanisë, Elon Musk, shpalli formimin e një partie të re politike amerikane, duke nxitur një reagim të zemëruar nga presidenti aktual i SHBA-ve, Donald Trump.
Çmimi i aksioneve pati një rikuperim të pjesshëm pas rënies fillestare, por sërish u hap me humbje të konsiderueshme në orën 9:30 të mëngjesit, duke shënuar rënien më të madhe ditore që nga 5 qershori, një moment tjetër kur Musk dhe Trump ishin përplasur publikisht, raporton CNN.
Trump reagoi me forcë ndaj njoftimit, duke e quajtur Musk një “tren të rrëmuar” që po del jashtë kontrollit. Në një postim në platformën e tij Truth Social, ai shkroi: “Jam i trishtuar kur e shoh Elon Musk të dalë plotësisht nga binarët. Ajo që po bën është një sulm ndaj stabilitetit politik dhe një përçarje e panevojshme.”- tha Trump.
Gjatë një deklarate për mediat përpara nisjes me avionin Air Force One, Trump e quajti iniciativën e Musk “qesharake” dhe paralajmëroi se një parti e tretë vetëm sa do të “mbjellë konfuzion” në skenën politike amerikane.
Sipas Neil Wilson, strateg tregu në Saxo Markets, investitorët po shfaqin dy shqetësime kryesore:
1. Tensione e mëtejshme me Trump mund të ndikojnë negativisht në subvencionet qeveritare për automjetet elektrike, nga të cilat Tesla përfiton ndjeshëm.
2. Musk po shihet si i shpërqendruar nga menaxhimi i kompanisë, në një moment kritik për zhvillimin teknologjik dhe konkurrencën globale në tregun e makinave elektrike.
“Investitorët përshëndetën më herët distancimin e Musk nga politika. Tani ata frikësohen se ai po kthehet në betejën politike dhe po humbet fokusin nga Tesla.”- shkroi Wilson.
Musk, përmes një postimi në platformën e tij X (ish-Twitter) të shtunën, argumentoi se SHBA po drejtohet nga një elitë politike e korruptuar, duke deklaruar:
“Kur bëhet fjalë për falimentimin e vendit tonë me mbeturina dhe ryshfet, ne jetojmë në një sistem një partiak, jo në demokraci. Sot, Partia Amerikane është formuar për t’ju dhënë përsëri lirinë tuaj", tha Musk.
Kritikat e tij vijnë disa ditë pas sulmit të drejtpërdrejtë ndaj “Projektligjit të Madh dhe të Bukur” të miratuar nga Trump, një paketë e gjerë për taksat dhe politikat ekonomike që Musk e ka quajtur “e dëmshme për deficitin federal”.
Në reagimin e tij të së dielës, Trump tha se partitë e treta nuk kanë pasur kurrë sukses në historinë politike të SHBA-së dhe se ato “vetëm krijojnë përçarje dhe kaos total”.