Ish-krerët e UÇK në paraburgim, qytetarët protestë në Prishtinë kundër gjykimit: Po rrezikohet e vërteta e luftës

Kosovë&Rajon

Ish-krerët e UÇK në paraburgim, qytetarët protestë

Pasditen e kësaj të enjteje në Prishtinë u mbajt një tubim i organizuar nga Veteranët e Luftës së UÇK-së, në shenjë kundërshtimi ndaj mbajtjes në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së.

Mijëra protestues, nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe vende të rajonit, u mblodhën në sheshin Skënderbeu të Prishtinës dhe turmës fillimisht iu adresua kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati. Ai tha se sot po rrezikohet liria dhe e vërteta e luftës së UÇK-së. Gucati shtoi se Specialja po përhap narrativin “e rremë se Kosova është çliruar nga kriminelët”, duke shtuar se vendi është çliruar nga UÇK-ja, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.

“Kjo nuk është drejtësi, kjo është dhunë politike. Ky është kriminalizim i UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s”, tha ai.

Të pranishëm ishin edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe Nevenka Tromp, e cila për një dekadë ka qenë hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

“Populli ynë historikisht ka qenë i bashkuar si një trup i vetëm. Por sot na është rrezikuar identiteti dhe dinjiteti. Prandaj, jemi këtu për të kërkuar liri për çlirimtarët që po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale”, tha Ahmeti.

Tromp tha se gjykatat duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, pasi rrezikon të jetë padrejtësi. Tromp kujtoi se ish-krerët e UÇK-së shkuan vullnetarisht në Hagë, pasi tha se “besuan se do të ketë drejtësi”.

“Këta udhëheqës ishin ata që e mbështetën krijimin e kësaj gjykate. E bënë këtë, duke e ditur rrezikun që kanosej ndaj të gjithë luftëtarëve. Sepse ata besuan në drejtësinë e kauzës së tyre...Ata luftuan dhe fituan”, tha Tromp.

Më herët organizatorët thanë për mediat e Kosovës se një ftesë kanë patur edhe për kryeministrin Edi Rama, i cili nuk mund të marrë pjesë për shkak të axhendës. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, nën akuzat për krime lufte.

Gjykimi i tyre ka nisur më 3 prill 2023, ndërsa vetëm një ditë më parë, Dhomat e Specializuara të Kosovës vendosën të zgjasin edhe një herë masën e paraburgimit ndaj tyre.

ME TE LEXUARAT