"Mbledhje urgjente", Berisha: Gjykatësi guximtar urdhëroi SPAK-un të hetojë Ramën për vilën në Surrel
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me qytetarë dhe mbështetës në Krujë, tha se një gjykatës ka urdhëruar SPAK të nisë hetim ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me ndërtimin e shtëpisë së tij në Surrel.
Berisha akuzoi Ramën për shkelje të ligjit dhe fshehje të vërtetës mbi mënyrën e ndërtimit dhe regjistrimit të pronës. “Vila e tij në Surrel ka themele dy herë më të mëdha se sarajet e Enver Hoxhës. Ai e ka regjistruar në emrin e tij, ndryshe nga diktatori që i la si pronë shteti,” u shpreh Berisha.
Kreu i PD, shtoi se kryeministri ka deklaruar një vlerë prej vetëm 3800 eurosh si pasuri në kohën e ndërtimit, ndërkohë që oborri i pronës arrin në 8300 metra katrorë dhe sipas tij, toka është marrë në kundërshtim me çdo ligj.
“SPAK ia kaloi çështjen Prokurorisë së Tiranës për ta shpëtuar, por kjo e fundit e refuzoi, duke e rikthyer sërish në SPAK. Një gjyqtar i guximshëm urdhëroi që SKAP-i ta hetojë Ramën,” vijoi Berisha.
Ai theksoi se çështja ka sjellë tronditje brenda institucionit të SPAK dhe është shoqëruar me mbledhje emergjente. “Dy ditë më parë janë bërë mbledhje urgjente. Ka rënë bomba në SPAK,” përfundoi kreu i PD.
“Një gjykatës guximtar… Rama ka ndërtuar vilën, vila e tij në Surrel janë me themele dy herë më të gjata se sarajet e Enver Hoxhës. Diktatori nuk i regjistroi në emrin e tij ato, por pronë shtetërore. Nuk e bëri.
Ky jo që e ka në emër të vetë, dhe e ka ndërtuar duke deklaruar 3800 euro, por ka një oborr 8300 metra katrorë dhe jo vetëm kaq, por tokën e ka marrë në kundërshtim me cdo ligj. Këto janë kapur tani. SKAP-i ja kaloi për ta shpëtuar prokurorisë së Tiranës, kjo tha me të drejtë nuk është puna ime kjo. I përket SKAP-it të merret me të.
E ktheu prapë. Shkoi në gjykatë çështja, një gjykatës guximtar e urdhëroi SKAP-in ta hetojë. Dy ditë më parë në SKAP janë bërë mbledhje emergjente. Ra bomba! Ky dilte pasdite dhe thoshte burrë më të mirë se Altin Dumani nuk ka Shqipëria”, tha Berisha.