“Trump-in e shpëtoi Zoti edhe për Europën”, Rama: Kontinenti ka një mundësi për të rishpikur veten

Politikë

“Trump-in e shpëtoi Zoti edhe për Europën”, Rama:

Kryeministri Edi Rama, në fjalën në nisje të Samitit të Europës, u ndal edhe tek presidenti i SHBA, Donald Trump dhe atentati që iu bë gjatë fushatës presidenciale në Pensilvania, korrikun e kaluar. Rama bëri një ndërthurje simbolike mes politikës dhe besimit për të ardhmen e kontinentit, duke iu referuar shefit të Shtëpisë së Bardhë.

“Kur Donald Trump tha se Zoti e shpëtoi nga plumbi sepse kishte një plan për Shtetet e Bashkuara, ai tha vetëm gjysmën e të vërtetës. Zoti ka një plan edhe për Europën”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se kontinenti europian ka sot një mundësi të dhuruar nga Zoti për t’u rishpikur, për t’u kthyer në një vend shprese dhe vizioni, duke lënë pas mitet dhe dyshimet e së shkuarës.

“Udhëtimi ynë nuk është një udhëtim rrëmbimi, por një kthim në shtëpi, që gëlon me ëndrra për të ardhmen. Një shtëpi që nuk ngjan me formën e armëve, por me imagjinatën e fëmijëve tanë dhe etërve themelues,” theksoi ai.

Në përmbyllje, Rama theksoi se ky është një vizion që u takon liderëve të sotëm ta bëjnë realitet, duke e shndërruar Europën në një hapësirë paqeje, bashkëpunimi dhe frymëzimi për brezat që vijnë.

Edi Rama: Kur Donald Trump tha se zoti e shpëtoi nga plumbi se i plotfuqishmi kishte një plan për SHBA, tha vetëm gjysmën e të vërtetës, gjysma tjetër është se Zoti ishte një plan edhe për Europën. Dhe nuk mund të ishte më e qartë se kaq. Europa ka edhe njëherë një mundësi të dhuruar nga Zoti për të rishpikur veten. Le të sigurohemi që rrugëtimi i Europës, i yni në këtë rast nuk është një udhëtim rrëmbimi si në pikturën e Veronezes, por një udhëtim kthimi dhe rilindjeje, një kthim në shtëpi që gëlon me ëndrra për të ardhmen e çliruar nga mitet e të shkuarës dhe aspak dyshim e mbrojtur mirë, por padyshim një shtëpi që nuk ngjan me formën e armëve por me imagjinatën e fëmijëve tanë dhe etërve tanë themelues. Një vizion që na takon ne ta sjellim në jetë…”, tha ai.

ME TE LEXUARAT