Dua Lipa në majat e suksesit: Turneu ''Radical Optimism'' kapërcen 112 milionë dollarë
Dua Lipa ka përfunduar me sukses fazën evropiane të turneut të saj “Radical Optimism”, më 27 qershor në Dublin, duke arkëtuar plot 112.3 milionë dollarë nga 44 shfaqje dhe me mbi 960,000 bileta të shitura, sipas të dhënave të Billboard Boxscore.
Ky është deri tani turneu më i suksesshëm në karrierën e saj, dhe ajo ende nuk ka prekur skenat amerikane.
Turneu nisi në Azi, ku siguroi 21 milionë dollarë, vazhdoi në Australi dhe Zelandë të Re me 17.2 milionë, dhe shpërtheu në Evropë me 74.1 milionë dollarë nga vetëm 23 shfaqje. Kulmi? Dy netë madhështore në Wembley Stadium, ku u shitën 151,000 bileta dhe u gjeneruan 19.1 milionë dollarë vetëm nga ato dy koncerte.
Përpara se të nisë pjesën amerikane të turneut, Dua Lipa do të ndalet në Sunny Hill Festival më 1 gusht 2025, ku do të performojë në natën hapëse në Kosovë, përballë publikut të saj vendas – një moment i veçantë dhe emocional për këngëtaren me origjinë shqiptare.
Nga shtatori, ajo do të nisë fazën e radhës në Amerikën e Veriut dhe Amerikën Latine, ku pritet të shtojë edhe qindra mijëra bileta të shitura dhe të arrijë deri në 175 milionë dollarë të ardhura totale nga turneu.
Me këto ritme, Dua Lipa po vendos standarde të reja në muzikën pop ndërkombëtare, duke u pozicionuar si një nga artistet më të suksesshme të kohës.