Vdekja tragjike e Diogo Jotës - Dëshmitarët hedhin dyshime mbi versionin zyrtar të aksidentit
Trishtimi për humbjen tragjike të ish-sulmuesit të Liverpool-it dhe kombëtares portugeze, Diogo Jota, vazhdon të mbetet i thellë, ndërsa autoritetet spanjolle po hetojnë ende rrethanat e aksidentit fatal që i mori jetën futbollistit dhe partneres së tij.
Sipas raportit paraprak të policisë, shkaku i ngjarjes dyshohet të ketë qenë shpejtësia e lartë e mjetit luksoz Lamborghini Huracán, i cili mendohet të ketë kaluar limitin prej 120 km/h, duke humbur kontrollin pas një shpërthimi të gomës dhe duke dalë nga rruga.
Por ky version zyrtar është vënë në pikëpyetje nga dy dëshmitarë okularë që ndodheshin pranë vendngjarjes. Njëri prej tyre, kamionisti José Azevedo, ka deklaruar për mediat portugeze:
“Ata kaluan pranë meje shumë qetë, pa asnjë shpejtësi të tepruar. E dërgova videon në CMTV sepse filluan të qarkullonin lajme të pabaza.”
Azevedo është gjithashtu autori i videos së publikuar më vonë në rrjetet sociale, ku sipas tij, nuk vihet re ndonjë shkelje flagrante e rregullave të qarkullimit nga ana e makinës së futbollistit.
Hetimet vijojnë, ndërsa mediat spanjolle dhe portugeze presin konfirmimin përfundimtar nga autopsia, analizat teknike të mjetit, si dhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi aksidenti.