Trump e ngjiti në hierarkinë e lartë, kush është njeriu që ndaloi futjen e ushtrisë amerikane në Iran
Ndërsa Presidenti Trump dhe ndihmësit e tij kryesorë po shqyrtonin një operacion ushtarak kundër Iranit në fillim të qershorit, zëvendëspresidenti JD Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio donin të siguroheshin që trupat amerikane nuk do të përfundonin të përfshira për një kohë të pacaktuar në një tjetër luftë në Lindjen e Mesme.
Në skenë sapo kishte dalë Gjenerali, Dan Caine, kryetari i sapo konfirmuar i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, ndau shqetësimin e të tjerëve në dhomë për vënien në rrezik të amerikanëve. Ai nxori një hartë në Dhomën e Situatave dhe shpjegoi se si, nëse urdhërohet të godasë objektet bërthamore të Iranit, Pentagoni mund t’i mbrojë pilotët e përfshirë në mision dhe trupat amerikane në Lindjen e Mesme nga çdo hakmarrje iraniane. Besimi i Caine gjeti jehonë tek Trump.
Kur sulmi i 21 qershorit u zhvillua kryesisht në përputhje me opsionet që përshkroi Caine, kjo e zmadhoi ndikimin e tij te një president, këshilltarët ushtarakë të të cilit të zgjedhur me kujdes më parë shpesh kishin rezultuar pengesë për qëllimet e tij. Në më pak se një javë pas operacionit, Caine i është drejtuar dy herë publikut dhe ka marrë lëvdata të shumta nga presidenti.
“Duhet të them, Gjenerali ‘Razin’ Caine ishte i pabesueshëm”, u tha Trump gazetarëve të mërkurën, duke përdorur nofkën e Caine në Forcat Ajrore dhe duke përshkruar rolin e tij në operacionin në Iran.
Gjatë periudhës së tij të shkurtër në detyrën e re, Caine është shfaqur si një nga këshilltarët më të ngushtë të Trump. Në javën para dhe menjëherë pas sulmit , gjenerali ishte në Shtëpinë e Bardhë pothuajse çdo ditë. Gjatë operacionit të së shtunës në mbrëmje në Dhomën e Situatave, Trump iu drejtua vazhdimisht Caine për përgjigje të pyetjeve të tij. Caine e rrëfeu sulmin teksa zhvillohej, duke shfaqur harta dhe duke shpjeguar se çfarë po ndodhte në kohë reale.
Ai u tha zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë se besonte se iranianët nuk i kishin parashikuar kurrë se do të vinin dhe iu përgjigj më shumë pyetjeve se çdo zyrtar tjetër në dhomë.