Si quhet dhe çfarë është ndjesia e rrallë që të rrëqeth trupin kur dëgjon muzikë?
Disa njerëz përjetojnë një ndjesi të veçantë dhe të paharrueshme kur dëgjojnë muzikë: lëkura u rrëqethet, ndiejnë mornica në trup dhe pushtohen nga një emocion i thellë. Ky fenomen njihet si frisson, një reagim unik emocional që lidhet me ndjeshmërinë e lartë.
Fjala “frisson” vjen nga frëngjishtja dhe do të thotë “dridhje”. Ky reagim shfaqet si një përgjigje fizike ndaj përvojave artistike ose emocionale që na prekin thellë, si një pjesë muzikore e fuqishme, një fjalim motivues apo një vepër arti mbresëlënëse.
Sipas ekspertëve të neuropsikologjisë, frisson ndodh kur truri aktivizon njëkohësisht qendrat e shpërblimit dhe emocionit, duke çliruar dopaminë, hormonin e kënaqësisë.
Edhe pse nuk e përjetojnë të gjithë, ata që e provojnë e përshkruajnë si një shpërthim të papritur ndjenjash, që lë gjurmë të thella. Për shumëkënd, është një përjetim kaq intensiv, sa që mund të lidhet me kujtime, ndjesi shpirtërore apo ndjeshmëri të theksuar ndaj bukurisë.